Me Akademi Përkujtimore nderohet Dëshmori Qemal Thaqi

 

Sot paradite në sheshin “Adem Jashari” në Radushë të Republikës së Maqedonisë së Veriut u shpalos Pllaka Përkujtimore e Dëshmorit Qemal Thaqi.
Shpalosja e pllakës përkujtimore u bë nga nga kryetari i komunës se Hanit te Elezit z. Rufki Suma, z.Rafiz Haliti- ish Komandant “Mësuesi”, familja e dëshmorit, bashkëluftëtar të Qemalit e pjesëmarrës të tjerë.
Në shënim të datës së rënies të Dëshmorit Qemal Thaqi, në hapësirat e SHFMU”Ilaz Thaçi” në Han të Elezit është mbajtur Akademi Përkujtimor për të rikujtuar kontributin dhe sakrificat e dëshmorit Qemal Thaqi.
Në këtë akademi pjesëmarrës ishin familjet e dëshmorëve të kombit, familja e dëshmorit Qemal Thaqi, përfaqësues të shoqatave të dalura nga lufta e UÇK-së, ish komandanti i Brigadës 115 z.Rafiz Aliti, bashkëluftuar të Qemalit, përfaqësues të institucioneve publike lokale, përfaqësues të Policisë e Ushtrisë së Kosovës e pjesëmarrës tjerë.
Per historikun e dëshmorit Qemal Thaqi foli z. Akif Shkreta i cili tha se Qemal Thaqi perveq qe mori pjesë aktive ne Brigadën 164 “Gafurr Loku” ne Han te Elezit, gjatë luftës së Kosovës, menjëherë u angazhua edhe ne luftime me forcat serbe ne Luginë te Preshevës, per te vazhduar më pastaj ne Ushtrinë Çlirimtare Kombëtare deri me rënien e tij me 28 korrik te vitit 2001.
Në fjalën e rastit kryetari i Komunës Rufki Suma tha se sot shënojmë 20 vjetorin e rënies së dëshmorit Qemal Thaqi, i cili luftoi ne tri lufta çlirimtare për lirinë e trojeve shqiptare, si në Kosovë, Maqedoni dhe Luginë te Preshevës.
Pas përfundimit të luftës në Kosovë, dhe Çlirimit të saj nga okupatori serb, u shtrua nevoja që edhe shqiptarët si në Luginë të Preshevës, ashtu edhe në Maqedoni te luftojnë për ti fituar të drejtat e veta ashtu siç i kanë edhe popujt e tjerë.
Luftëtari i tri luftërave çlirimtare, Qemal Thaqi, tani dëshmorë i kombit, si shumë ushtarë tjerë, pas luftës së Kosovës dhe Luginës se Preshevës, u kyq me pjesëmarrje direkte edhe në luftën e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare në Maqedoni ku dha një kontribut të jashtëzakonshëm në luftime direkte me forcat sllavomaqedone deri me rënien e tij me 28 korrik 2001.
Të nderuar pjesëmarës tërë ky motiv dhe heroizëm i ushtarëve të të gjitha luftërave çlirimtare shqiptare, ishte frymëzim nga komandanti legjendar Adem Jashari dhe familja e tij e cila u sakrifikua e tërë vetëm e vetëm që ne sot të jetojmë e të punojmë të lirë.
Lufta e përbashkët e të gjithë shqiptarëve ku do qe ishin, uniteti brenda shqiptarëve në kohë të luftës bëri që shqiptarët të luftojnë si një trup i përbashkët duke u përkrahur edhe mbështetur edhe nga faktori ndërkombëtar.
Pa këtë bashkim dhe veprim të përbashkët në betejat e luftës, ishte një pikë-pyetje e madhe se sot do të shënonim datat e lavdishme të betejave të luftës dhe do të nderonim ata që u flijuan që në të jetojmë të lire dhe të barabartë me të tjerët.
Dëshmi e pa shlyeshme e bashkimit të shqiptarëve është gjaku i derdhur i dëshmorëve, në beteja të ndryshme të luftës në troje të ndryshme shqiptare, që është edhe një dëshmi se vetëm të bashkuar nga do që jemi dhe kudo që jemi, mund të shkojmë përpara.
Vetëm për Lirinë dhe te drejtat e shqiptarëve në Maqedoni, Hani i Elezit dha 5 dëshmorë ndërsa për lirinë e te gjitha trojeve shqiptare Hani i Elezit dha gjithsejtë 15 dëshmorë tha kryetari Suma në fjalimin e tij.
Me fjalë rasti të pranishmëve iu drejtua edhe z.Rafiz Haliti- ish Komandant Mësuesi. Ai tha se të rinjtë e Hanit të Elezit ishin gjithandej në brigadat e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare duke dhënë kontribut të jashtëzakonshëm në rrjedhat e luftës për liri. I tillë ishte edhe Dëshmori Qemal Thaqi tha z.Haliti e shumë dëshmorë tjerë që bënë që gjatë gjithë atyre zhvillimeve të humbet edhe kufiri ndërmjet nesh.
Akademia përkujtimore ishte rast që familja e Dëshmorit Qemal Thaqi të nderohet me “Mirënjohje” nga Kryetari i Komunës Rufki Suma, ndërsa në emër të familjes së Dëshmorit Qemal Thaqi pjesëmarrësve në këtë akademi iu falënderua z.Riad Berisha.
Në fundë pjesëmarrësit vizituan edhe Kompleksin e Dëshmorëve në Pustenik në Homazhë dhe nderim Dëshmorëve të trevës së Hanit të Elezit.