Gënjeshtra e Zemajt për vaksinën, përfundon muaji shkurt nuk vaksinohet asnjë qytetarë!

Këtë muaj bëhen një vit që nga data kur në Kosovë u konfirmuan rastet e para të të infektuarve me COVID-19.

 

Pavarësisht se ka kaluar kohë shumë e gjatë dhe thuajse të gjitha vendet e botës tashmë kanë vaksinuar shumicën e popullatë së tyre, ardhja e vaksinës antiCOVID tek ne mbeti vetëm fjalë në ajër.

Anipse ministri në detyrë i Shëndetësisë, Armend Zemaj vazhdonte të deklaronte se vaksina arrin gjatë muajit shkurt, e madje deklarohej i bindur për këtë një gjë e tillë ishte vetëm gënjeshtër.

Tashmë muaji shkurt përfundoi, e tek ne po bëhet një vit i plotë pandemik.

Jo vetëm Zemaj, gënjeshtrës për vaksinën iu bashkua edhe kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti.

Pikëristh më 6 janar, Hoti pati deklaruar hapur se vaksinat e para antiCOVID arrijnë në muajin shkurt, ndërsa sipas parashikimeve pritet që të vaksinohen afro 20 mijë qytetarë brenda ditës.

“Dje janë konkretizuar bisedat për 535 mijë vaksina, janë konkretizuar bisedat më Austrinë për 600 mijë vaksina. Kemi siguruar edhe buxhetin dhe janë ndarë 40 milionë euro për vaksinën anti-COVID. Presim që vaksinat e para të vijnë në shkurt”, pati deklaruar Hoti.

Në po të njëjtën ditë, ministri në detyrë, Armend Zemaj deklaroi se gjatë muajit janar do të finalizohej marrëveshja mes Ministrisë dhe kompanisë Pfitzer në mënyrë që vaksinimi të fillojë në muajin shkurt.

“Gjatë kësaj jave MSH dhe kompania Pfizer do të finalizojë marrëveshjen dhe në muajin shkurt do të fillojë vaksinimin. Me qëllim të vaksinimit të suksesshëm Instituti ka përcaktuar edhe grupet për vaksinim, të gjithë qytetarët që duhet të vaksinohen do të vaksinohen dhe tanimë kjo është e siguruar, vaksina do të jepen falas për popullatën”, pati thënë Zemaj.

Por përpos kësaj ende nuk ka një zyrtarizim të marrëveshjes për sigurimin e vaksinës antiCOVID nga kompania Pfitzer, ndërsa nuk ka datë nga Qeveria e Kosovës as se kur do të vijnë vaksinat nga prodhuesi COVAX.

Premtimet për vaksinën antiCOVID, Zemaj nuk i ndali asnjëherë duke deklaruar se ato do të arrijnë në muajin shkurt.

“Jemi në pritje të ardhjes së vaksinave. Gjatë muajit shkurt, vaksina antiCOVID do të jetë në Kosovë. Përgatitjet janë më intensive në qendrat e mjekësisë familjare”, deklaroi ai.

Pavarësisht gjithë kësaj, Kosova ende mbetet peng i këtyre premtimeve për vaksinim, por që një gjë e tillë nuk po bëhet.

Organizata Botërore e Shëndetësisë më 15 shkurt pati dhënë dritën jeshile për përdorimin emergjent të një vaksine kundër COVID-19, të prodhuar nga kompania farmaceutike AstraZeneca, në bashkëpunim me Universitetin e Oksfordit.

Kjo ishte vaksina e dytë që OBSH-ja autorizoi, pas vaksinës Pfitzer/BioNTech në muajin dhjetor.

Kosova pritej të marrë falas vaksinën e AstraZencas, përmes programit të OBSH-së, COVAX, që ka për qëllim shpërndarjen evaksinës në vende të varfra.

Madje në një raport të publikuar më parë u bë e ditur se Kosova do të marrë nga COVAX, 100.800 doza nga kjo vaksinë.

Deri më tani në Kosovë kanë arritur vetëm frigoriferët të cilët shërbejnë për ruajtjen e vaksinave.

Siç duket fjalët e mëdha të Armend Zemajt dhe Avdullah Hoti për sigurimin e vaksinës mbetën gënjeshtra të politikës, derisa qytetarët vazhdojnë të përballen me situatën e rënduar nga ky virus.

Tani për tani në Kosovë janë 7 mijë e 782 raste aktive ndërsa kanë humbur jetën 1 mijë e 599 pacientë.

Pavarësisht se gjatë ditëve të fundit ka mbi 400 raste në ditë, vaksina mbetet ende larg anipse vendet e rajonit tashmë janë furnizuar me të.

Shkruan:/Lajmi.net/